Një aksident rrugor është shënuar pasditen e sotme në aksin rrugor Qafë e Buallit–Klos, në segmentin e Rrugës së Arbrit. Një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga, duke shkaktuar plagosjen e dy personave.
Aksidenti është pikasur fillimisht nga drejtues të tjerë mjetesh, të cilët njoftuan menjëherë ambulancën dhe policinë. Të plagosurit u transportuan drejt spitalit të Klosit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit dhe lagështira në rrugë kanë ndikuar në daljen e makinës nga rruga.









