Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Pit Hegseth, ka deklaruar se operacionet ushtarake kundër trafikantëve të paligjshëm të drogës do të vazhdojnë, pavarësisht sulmit të fundit ndaj një anijeje që kishte nisur nga Venezuela.
Forcat e armatosura amerikane kanë shkatërruar një mjet lundrues që transportonte drogë dhe që kishte origjinën nga Venezuela, duke vrarë 11 persona të cilët SHBA i cilëson si “narkoterroristë”, sipas deklaratës së bërë të martën nga presidenti amerikan Donald Trump.
Operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë në Karaibe, e cila është kundërshtuar nga autoritetet venezueliane.
“Ne kemi në dispozicion mjete ajrore, nënujore dhe detare, sepse kjo është një mision shumë serioz për ne dhe nuk do të ndalet me këtë sulm të vetëm,” deklaroi ministri Hegseth për Fox News.
“Kushdo tjetër që kapet duke trafikuar drogë në këto ujëra dhe që është i njohur si narkoterrorist, do të ketë të njëjtin fat,” shtoi ai.
Uashingtoni ka vendosur së fundmi të paktën shtatë anije luftarake në rajonin e Karaibeve, duke e konsideruar këtë si pjesë të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të drogës. Presidenti Trump ka akuzuar presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, dhe anëtarë të qeverisë së tij, se udhëheqin një “kartel droge”.
Nga ana e tij, kreu i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, deklaroi në platformën X se operacioni u zhvillua “në jug të Karaibeve” dhe kishte në shënjestër një mjet lundrues që kishte nisur nga Venezuela.