Kim Jong Un mbërriti në Kinë për takimin e tij të parë shumëpalësh , por vëmendjen nuk e mori vetëm udhëheqësi i Koresë së Veriut. Pas tij u shfaq një vajzë e veshur me kujdes, që ngjalli interes tek vëzhguesit Kim Ju Ae, vajza e tij dhe sipas shërbimeve sekrete të Koresë së Jugut, pasuesja më e mundshme e liderit verikorean.
Megjithatë, detajet për të janë të pakta. Mendohet se është fëmija i dytë i Kim Jong Un dhe bashkëshortes së tij Ri Sol-Ju, por renditja e saktë dhe numri i fëmijëve mbetet i paqartë. Vetëm ekzistenca e saj është konfirmuar zyrtarisht nga regjimi, ndërsa fëmijët e tjerë nuk janë parë kurrë publikisht.
Emri i saj doli për herë të parë në vitin 2013, kur basketbollisti Dennis Rodman zbuloi se kishte “mbajtur në duar vogëlushen Ju Ae” gjatë një vizite në Korenë e Veriut. Pas kësaj, ajo u shfaq publikisht vetëm në nëntor 2022, në një testim rakete ndërkontinentale, dhe që nga ajo kohë është bërë figurë e njohur pranë të atit.
Në shkurt 2023, ajo u shfaq në pulla postare dhe në bankete zyrtare, duke u quajtur “vajza e respektuar” – një titull që në Korenë e Veriut përdoret vetëm për figura të larta. Sipas agjencisë së inteligjencës së Koresë së Jugut, ajo është e apasionuar pas kalërimit, skijimit dhe notit, mësohet në shtëpi në Phenian dhe besohet të jetë rreth 10 vjeç.
Në janar 2024, i njëjti shërbim inteligjence e përshkroi si “pasuesen më të mundshme” të Kim Jong Un, megjithëse theksoi se ende ka shumë të panjohura, përfshirë moshën e re të vetë udhëheqësit.
Prej asaj kohe, Kim Ju Ae ka dalë shpesh në krah të babait, duke marrë përshëndetje ushtarake nga komandantët më të lartë dhe duke u vendosur në qendër të ceremonive madhore. Dalja e saj e fundit në Kinë është hera e parë jashtë kufijve të vendit, duke nxitur edhe më shumë spekulimet për një tranzicion të ardhshëm të pushtetit.
Familja Kim pretendon se udhëheqja e Koresë së Veriut është e bazuar mbi një “gjak të shenjtë”, ndaj vetëm ata mund të drejtojnë vendin. Megjithatë, analistët theksojnë se Kim Jong Un po përpiqet të përgatisë opinionin publik për një pasuese femër, në një shtet ku gratë nuk kanë pasur kurrë rol drejtues në nivelet më të larta.