Policia e Librazhdit ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për një mjek të spitalit rajonal të qytetit, i dyshuar për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Procedimi ka nisur ndaj shtetasit A. I., 69 vjeç, pas një kallëzimi të bërë nga një 42-vjeçare, e cila pretendon se mjeku ka neglizhuar trajtimin e dajës së saj, shtetasit M. D., 52 vjeç.
Sipas kallëzimit, ngjarja ka ndodhur më datë 27 gusht 2025, ndërsa 52-vjeçari ka ndërruar jetë në spital më 31 gusht 2025.
Policia bën me dije se hetimet po zhvillohen nga Prokuroria, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë nëse ka pasur mangësi profesionale që kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientit.







