Dy aksidente njëri pas tjetrit janë shënuar në Lushnje, në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”. Tre automjete u përplasën me njëra-tjetrën, ku mbeti i lënduar një person. Një mjet tjetër goditi barrierën e hekurit.
Dy aksidente u shënuan mëngjesin e kësaj të mërkure në afërsi të vendit të quajtur “Pushimi i Shoferit” në Lushnje.
Një aksident me përplasje në seri u shënua në kahun e lëvizjes drejt Fierit, ku një automjet tip Caddy goditi nga pas një automjet tip Benz, ndërsa ky i fundit u përplas me një tjetër Benz. Nga përplasja ka mbetur një i lënduar, që është dërguar në spital, ndërsa makinat kanë pësuar dëme materiale.
Aksidenti tjetër u shënua në mes të kryqëzimit te “Pushimi i Shoferit”, ku një automjet tip Skoda përfundoi te barriera e hekurt, por pa pasoja për jetën e drejtuesit. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e aksidenteve.
Kryqëzimi i “Pushimit të shoferit” në autostradën Lushnje-Fier mbetet një njollë e zezë në qarkullimin rrugor derisa të jepet zgjidhje përfundimtare sipas projektit fillestar të autostradës, i cili parashikonte mbikalime për automjetet që vijnë nga Krutja drejt Divjakës dhe anasjelltas.