FLASH :

Robotët ujqër dhe raketat masive, Kina tregon muskujt me teknologjinë e frikshme

Në një shfaqje të fuqisë ushtarake dhe mesazhit politik të qartë, Kina zhvilloi sot një paradë madhështore në sheshin Tiananmen për të përkujtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, duke prezantuar armët më të fundit dhe një ushtri të modernizuar nën drejtimin e Presidentit Xi Jinping.

Në një moment simbolik dhe sfidues ndaj rendit global të udhëhequr nga SHBA, Xi u shfaq për herë të parë publikisht krah për krah me Presidentin rus Vladimir Putin dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un një treshe që duket se po bashkon forcat në sfidën e tyre ndaj Perëndimit.

“Rritja e Kinës është e pandalshme,” deklaroi Xi Jinping në fjalimin e tij para mbi 10,000 trupave, duke shtuar se vendi i tij ka të drejtë të marrë rolin që i takon në skenën botërore.

Parada zbuloi qindra armë të teknologjisë së avancuar, përfshirë raketa balistike hipersonike, dronë ushtarakë dhe sisteme të reja mbrojtjeje ajrore një tregues i qartë i modernizimit të ushtrisë më të madhe në botë për nga numri i trupave.

Krahas armëve me lazer dhe dronëve gjigantë nënujore, vëmendjen më të madhe e morën të ashtuquajturit “ujq teknologjik”, të cilët sipas mediave shtetërore kineze janë të aftë të kryejnë zbulim në vijën e parë, shpërndarje furnizimesh dhe goditje të sakta ndaj objektivave. Ky demonstrim ushtarak shihet si një mesazh i qartë i Pekinit për modernizimin e fuqisë së tij dhe përpjekjen për të fituar epërsi në fushën e armëve të së ardhmes.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë ndaj zhvillimeve, duke akuzuar publikisht Kinën, Rusinë dhe Korenë e Veriut se po “komplotonin për të sfiduar dhe minuar ndikimin amerikan në botë.”