FLASH :

Korçë/ 70-vjeçari gjendet i vdekur në banesë, dyshohet se ka ndërruar jetë para disa ditësh

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në qytetin e Korçës, ku një 70-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në lagjen nr. 10.

Viktima është identifikuar si Niko Kita, i cili prej kohësh jetonte i vetëm. Ai kishte dy vajza, njëra që jeton në SHBA dhe tjetra në Itali, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhej gjithashtu në Itali. Pikërisht mungesa e kontakteve të përditshme ka bërë që fqinjët të alarmohen, pasi nuk e kishin parë prej disa ditësh. Ata njoftuan policinë, ndërsa për të hyrë brenda banesës u desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës.

Sipas policisë, trupi i të moshuarit nuk kishte shenja dhune. Nga hetimet paraprake dyshohet se ai kishte humbur jetën disa ditë më parë, për shkaqe ende të pacaktuara. “Rreth orës 18:50, në lagjen nr. 10, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, në banesën ku jetonte vetëm, shtetasi N. K., rreth 70 vjeç. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën disa ditë më parë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.