Një sulmues me thikë është qëlluar për vdekje nga policia në qytetin francez të Marseille, pasi plagosi pesë persona në një seri sulmesh të dhunshme pasditen e së martës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e njohur Belsunce, pranë një restoranti fast food në Bouches du Rhône. Sipas autoriteteve, një burrë me shtetësi tuniziane dhe rezident i rregullt në Francë, sulmoi me thikë disa persona në mënyrë brutale, përpara se të përballej me forcat e rendit.
Pamjet e rënda të publikuara tregojnë momentin kur sulmuesi, i armatosur me dy thika kasapi dhe një shufër hekuri, bërtiste “Allahu Akbar” ndërsa i afrohej policisë, e cila u detyrua ta neutralizonte me armë zjarri pas përdorimit të një arme paralizuese (taser).
Sipas prokurorit publik të Marseille, Nicolas Bessonne, policia fillimisht tentoi ta arrestonte, por sulmuesi u hodh drejt një oficeri me thikë në dorë. “Oficeri bërtiti ‘ndalu, ndalu’, përpara se të dëgjoheshin të shtënat me armë”, dëshmoi një qytetar për mediat lokale.
Gjithçka nisi pas dëbimit të autorit nga një hotel në Marseille, për shkak të mospagesës së qirasë. Më pas, ai u kthye, hyri në dhomën që e kishte pasur më parë dhe goditi me thikë personin që tashmë e banonte atë.
Menaxheri i hotelit dhe djali i tij ishin gjithashtu viktima të sulmit. I pari u godit disa herë, ndërsa djali u ndoq në rrugë dhe u plagos me thikë në shpinë. Prokurori konfirmoi se një prej viktimave ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas Le Figaro dhe Le Parisien, pesë persona janë plagosur disa prej tyre rëndë të gjithë nga goditjet me thikë. Sulmuesi u godit me një armë elektrike përpara se policia ta qëllonte me armë zjarri. Ai u shpall i vdekur në spital.