FLASH :

Bulqizë: Zbulohet varr monumental romak në Strikçë, me mbishkrim bilingual dhe dedikim për Jupiterin

Bulqizë — Një zbulim i rrallë arkeologjik është bërë në fshatin Strikçë, në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës”, ku një ekip arkeologësh ka nxjerrë në dritë një varr monumental të periudhës romake (shek. III–IV e.s.). Gërmimet u kryen në kuadër të një projekti kërkimor-shkencor në Luginën e Bulqizës, të drejtuar nga Akad. Adem Bonguri dhe MSc. Erikson Nikolli. Monumenti është unik për nga përmasat—rreth 9 x 6 metra—dhe ka një lartësi të brendshme në dhomën funerare prej 2.40 m.

Sipas arkeologut Erikson Nikolli, varri dallohet jo vetëm për arkitekturën e veçantë, por edhe për të dhënat epigrafike: “Për herë të parë në zonën e Dibrës u zbulua një mbishkrim romak bilingual, i kushtuar individit të varrosur, Gelliano, si edhe një dedikim për perëndinë Jupiter.” Edhe pse varri është grabitur që në lashtësi dhe në periudha të mëvonshme, u ruajt një pjesë e inventarit: ena qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe—jashtëzakonisht—fragmente tekstilësh të endur me fije ari, me të cilët mendohet se është varrosur i ndjeri.

Monumenti është konceptuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale. Muret e shkallares ruajnë ende dekor stuko me motive gjeometrike. Përveç strukturave nëntokësore funerare, arkeologët kanë evidentuar edhe mure në pjesën e sipërme, duke sugjeruar se kompleksi mund të ketë qenë i tipit mauzoleum. Në afërsi është gjetur edhe një mbishkrim tjetër funerar, i cili do të analizojë më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar.

Sipas ekipit, materiali ndërtimor përbëhet kryesisht nga gurë të mëdhenj të punuar në trajtë kornizash, të sjellë nga gurore jashtë lokalitetit, çka tregon organizim dhe burime të konsiderueshme për ngritjen e monumentit. Inventari, teknika e ndërtimit dhe mbishkrimet e datojnë varrin në shekujt III–IV e.s..

Arkeologët theksojnë se zbulimet vijojnë dhe pritet që fazat e ardhshme të sjellin të dhëna të reja që do të pasurojnë hartën arkeologjike të kësaj zone dhe, më gjerë, të prapaskenës kulturore të territorit shqiptar.