FLASH :

Shoferja italiane shkaktare e aksidentit me vdekjen e dy personave ne Vlorë

Vlorë – Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka bërë të ditur serinë e operacioneve dhe ngjarjeve kriminale të regjistruara ditët e fundit në qytet dhe rrethinat e tij.

Një aksident i rëndë në afërsi të zonës së quajtur “Kripa”, në autostradën “100 Vjetori”, i mori jetën dy personave. Shtetasja italiane A. T., 28 vjeçe, banuese në Napoli, duke drejtuar mjetin e saj u përplas me një kamionçinë tip “Benz”. Nga goditja humbi jetën drejtuesi i kamionçinës, F. H., 63 vjeç, si dhe pasagjeri i tij D. M., 47 vjeç, të dy banues në Vlorë. Policia arrestoi 28-vjeçaren për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Arrestime për drogë, dhunë dhe thyerje masash sigurie

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin italian F. R., 26 vjeç, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis.
Ndërkohë, një 41-vjeçar gjerman, W. Z., banues në Vlorë, u arrestua pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij. Po ashtu, K. M., 30 vjeç, u prangos pasi u konstatua jashtë banesës duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Tiranës.

Policia ka referuar materiale edhe për një konflikt me grushte mes dy të rinjve, O. M., 24 vjeç, dhe K. M., 19 vjeç. Në Orikum, një 36-vjeçare ka goditur me grushte një bashkëqytetare 25-vjeçare gjatë një konflikti, ndërsa në Sarandë është shpallur në kërkim E. P., 44 vjeç, i cili ka kanosur me thikë një 18-vjeçar pas një sherri për motive të dobëta.

Vdekje aksidentale në Sarandë

Policia njoftoi gjithashtu se po heton rrethanat e ngjarjes ku një shtetas francez, M. F., 28 vjeç, dyshohet se ka humbur jetën aksidentalisht. Ngjarja ndodhi në orët e para të 2 shtatorit, kur i riu, i dyshuar në gjendje të dehur, ra nga një lartësi në rrugën “Butrinti”.

Të gjitha materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.