FLASH :

Arrestohet njeriu i Tom Doshit, “koka e basteve” ilegale në Tiranë

Pas një sërë tolerimesh dhe ndalimesh të pasuksesshme, Policia e Tiranës ka arrestuar më në fund Njuland (Lendi) Palajn, të njohur si menaxher dhe figura kryesore pas lokaleve të basteve të paligjshme “333” dhe “CR7”. Ai u ndalua mbrëmjen e djeshme në zonën e Xhamllikut, ku nga kontrolli i ushtruar rezultoi se 28-vjeçari, së bashku me administratorin dhe tre persona të tjerë, ushtronin aktivitetin e basteve sportive në mënyrë të paligjshme, përmes celularëve.

Në pranga, krahas Palajt, përfunduan edhe Arsen Zebi (35 vjeç), Florian Çela (41 vjeç), Ergest Lloci (36 vjeç) dhe Erigest Alisha (24 vjeç). Policia publikoi gjithashtu biseda dhe “screenshot”-e të marra nga aparatet e sekuestruara, ku të arrestuarit komunikonin me klientët për vendosjen e basteve.


Një figurë që vepron në hije, por me lidhje të forta politike

Prej kohësh, Lendi Palaj është konsideruar si “truri” i lokaleve të basteve sportive në Tiranë, duke ndërtuar një rrjet të sofistikuar prej 25–30 pikash që funksionojnë si kafene ose pika lojërash, por në realitet ofrojnë baste të ndaluara me ligj. Lokalet nuk mbajnë tabela apo logo, dhe pjesëmarrja bëhet vetëm për ata që kanë “kontaktet e duhura”, me pagesa që shkojnë nga kesh deri te kriptovalutat, të mbrojtura me VPN.

Sipas burimeve, ngritja e Palajt lidhet ngushtë me fushatën elektorale të vitit 2021, kur ai u aktivizua në zonën e Ali Demit në favor të PSD-së së Tom Doshit, duke krijuar rrjetin e kontakteve që më pas e përdori për biznesin e basteve. Raportet flasin për mbështetje financiare dhe garanci sigurie nga njerëz pranë Tom Doshit dhe Çim Babasit, të cilët i hapën rrugën për të kontrolluar aktivitetin.


Nga konfliktet me armë tek hetimet e SPAK

Emri i Palajt është lidhur edhe me ngjarje të rënda kriminale. Ai dyshohet si i përfshirë në konfliktin e armatosur të 29 prillit 2025 në “Ali Demi”, ku babë e bir, Arjan dhe Lorenc Telhallari, qëlluan me automatik “Scorpions” drejt një zyre elektorale të PSD-së. Në atë kohë, pranë vendit të ngjarjes ndodhej edhe lokali “333”, ku po konsumonin kafe Elgin Hoxha dhe Mariglen Duka, të cilët dyshohej se ishin shënjestra e sulmit.

Pas asaj ngjarjeje, Palaj nuk u arrestua për rreth dy muaj dhe më 29 qershor vendosi të dorëzohej vetë, por u lirua shpejt pasi gjykata i zbuti masën e sigurisë. Këtë herë, ndalimi i tij shihet si një provë serioze për sistemin e drejtësisë, nëse do të arrijë ta mbajë pas hekurave dhe të çmontojë rrjetin e fuqishëm të basteve të paligjshme që ai ka ngritur.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se edhe SPAK dhe BKH kanë nisur hetime për pasuritë e Tom Doshit dhe lidhjet e tij me këtë strukturë, duke e parë rastin Palaj si një hallkë kyçe për të goditur një nga skemat më të sofistikuara të basteve në vend.