FLASH :

Video/Gjoba shembullore për parakaluesit “kamikazë” në Lezhë

Lezhë – Pas publikimit të tre videove në rrjete sociale, ku shiheshin automjete duke kryer parakalime të rrezikshme në segmentet rrugore “Milot–Lezhë” dhe “Balldre–Lezhë”, Policia Rrugore e Lezhës ka reaguar menjëherë duke identifikuar drejtuesit e tyre.

Sipas neneve 141 dhe 127 të Kodit Rrugor, tre shoferët u ndëshkuan me masa administrative prej 12 000 lekësh secili, ndërsa njërit prej tyre iu zbritën edhe 10 pikë nga patenta.

Policia e Shtetit ka falënderuar qytetarët dhe median për ndihmën në evidentimin e rasteve të tilla, duke i ftuar të vazhdojnë të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit.

Institucioni thekson se reagimi ndaj rasteve të rrezikshme në rrugë do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe gjithmonë në përputhje me ligjin.