Edon Zhegrova është zyrtarisht lojtari më i ri i Juventusit, ku ka arritur marrëveshjen me bardhezinjtë pak ditë pasi siguroi pasaportën shqiptare.
Klubi italian do të paguajë 20 milionë euro drejt Lille, ndërsa Zhegrova ka firmosur një kontratë që e mban në Torino deri në vitin 2030.
Paga e Zhegrovës do të jetë rreth 2.5 milionë euro në sezon, dhe ai do t’i bashkohet menjëherë grupit nën urdhrat e trajnerit Igor Tudor.
Klubi i Juventusit ka publikuar këtë të hënë edhe pamjet e mbërritjes së tij në Itali, duke zyrtarizuar transferimin.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Alexander Isak është lojtari më i ri i Liverpoolit, i transferuar për një shumë rekord – 130 milionë paundë.
Suedezi do të firmosë një kontratë 6-vjeçare me kampionët në fuqi të Premier League.
Pas disa javësh negociata, Newcastle është bindur dhe ka pranuar largimin e 25-vjeçarit, i cili tashmë mban statusin e blerjes më të shtrenjtë në historinë e Premier League.
Isak kishte arritur marrëveshjen personale me “The Reds” që më herët, por “qymyrxhinjtë” e kishin refuzuar ofertën e parë nga Liverpool.
Tashmë palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe Isak këtë javë nis zyrtarisht aventurën e tij në “Anfield”.
Ai do të ketë një pagë javore prej 300 mijë paundësh, pa llogaritur bonuset, ndërsa gjatë ditës së hënë kreu edhe testet mjekësore me skuadrën e re.