FLASH :

Momente tmerri në Texas: Vetura fluturon brenda restorantit indian

Një darkë e zakonshme u shndërrua në skenë dramatike në Irving, Texas, kur një SUV Ford Bronco përplasi xhamat e restorantit “Mythri’s Indian Cuisine”, duke hyrë brenda lokalit dhe duke goditur një çift që po konsumonte ushqimin.

Pamjet tregojnë momentin kur makina shemb xhamin dhe kornizën metalike, duke rrëzuar tavolinën ku ishin ulur dy klientët dhe duke i hedhur nga vendet e tyre. Fatmirësisht, çifti pësoi vetëm lëndime të lehta dhe, sipas punonjësve të restorantit, ata madje u kthyen më vonë për të përfunduar vaktin e ndërprerë.

Sipas Policisë së Irvingut, hetimet paraprake tregojnë se shoferi i makinës, i cili ishte parkuar para restorantit, kishte gabuar marshin duke e vënë në drive në vend të reverse. Nuk është ngritur asnjë akuzë penale deri tani.

Ky incident i pazakontë ka tronditur klientët dhe stafin, por fatmirësisht u mbyll pa pasoja të rënda.