FLASH :

Pamje të forta/ ‘Bonnie & Clyde’ rumunë grabisin Rolex e bizhuteri luksoze në Britani

Pamje të siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur një çift, i krahasuar me “Bonnie & Clyde” të famshëm, kryen një seri grabitjesh të sofistikuara në argjendari të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar. Çifti përdori teknika shpërqendrimi dhe manipulim me dorë të shpejtë për të vjedhur një orë Rolex prej 5,000 £, bizhuteri argjendi dhe ari, si dhe qindra paund në para të gatshme.

Një nga viktimat, Jon White – pronar i Old Bank Antiques në Royal Wootton Bassett, Wiltshire – u detyrua të mbyllte dyqanin e tij pasi stafi i targetuar humbi besimin dhe dha dorëheqjen. “Si rezultat i këtij krimi, dyqani është mbyllur dhe për momentin nuk do të rihapet,” tha ai për Daily Mail.

Hetimet kanë zbuluar se çifti është me origjinë rumune dhe dyshohet për të paktën tre grabitje në vetëm një muaj, përfshirë raste në Suffolk, Surrey, Bradford dhe Huddersfield. Në një rast, ata arritën të largohen me tre byzylykë ari me vlerë 5,000 £ brenda pak minutash, duke u filmuar nga kamerat e sigurisë ndërsa gruaja mbulonte shikimin e shitëses dhe burri merrte sendet nga vitrinat.

Policia britanike ka konfirmuar se çifti është arrestuar më herët për vjedhje, por aktualisht ndodhet në lirimin me kusht. Bizneset e goditura i kanë shpërndarë videot në rrjetet sociale, ku janë mbushur me mesazhe nga tregtarë të tjerë që pretendojnë se janë mashtruar me të njëjtat metoda nga i njëjti çift.

Ky rast është cilësuar si pjesë e një rrjeti më të madh kriminal ndërkombëtar, i cili po shfrytëzon metoda të rafinuara për të vjedhur bizhuteri dhe para në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.