Një traget turistik i Maqedonisë së Veriut, i cili ishte nisur nga Shën Naumi me destinacion Ohri, është kapur në befasi nga stuhia e fuqishme që përfshiu rajonin pasditen e sotme.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, trageti u detyrua të devijojë itinerarin dhe të lundrojë shumë pranë bregut shqiptar të liqenit, ku moti ishte disi më i qetë. Fatmirësisht, nuk raportohet për dëme materiale apo incidente gjatë këtij udhëtimi të detyruar.
Autoritetet doganore shqiptare kanë bërë të ditur se ishin njoftuar paraprakisht nga pala maqedonase për këtë devijim të linjës, duke theksuar se situata është monitoruar me kujdes deri në rikthimin e normalitetit.
Ky është rasti i parë gjatë këtij sezoni turistik kur një traget i huaj është detyruar të afrohet pranë brigjeve shqiptare për shkak të motit ekstrem që ka përfshirë rajonin.