Si pasojë e motit të përkeqësuar dhe fortunalit të fuqishëm, një incident ka ndodhur sot në Portin e Durrësit. Tragetit të linjës Durrës–Bari “Francesca”, i cili ishte i akostuar në kalatë, iu shkëput një nga cimat (litari që lidh anijen me kalatën).
Sipas njoftimit të Autoritetit Portual Durrës, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Kapitenerisë së Portit, Autoritetit Portual dhe rimorkiatorit të ASHD, situata u menaxhua me profesionalizëm dhe pa pasoja për mjetet e tjera lundruese.
“Cima u rilidh në kohë rekord dhe trageti ka vijuar normalisht lundrimin drejt Barit”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Autoritetet portuale theksuan se janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo situate të shkaktuar nga kushtet e motit të rënduar.







