Vlore – Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me erëra të forta, kanë shkaktuar probleme serioze sot në zonën e Zvërnecit, ku një çift turistësh nga Ukraina mbeti i bllokuar në kodra. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, kur një pemë e rrëzuar nga stuhia bllokoi rrugën rurale që të çon drejt zonës, duke e bërë të pamundur qarkullimin.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se përveç makinës së turistëve, të mbërthyera kanë mbetur edhe disa automjete të tjera, ndërsa reshjet e forta kanë dëmtuar edhe segmentin për këmbësorë, duke e bërë situatën edhe më të vështirë.
Çifti ukrainas ka kërkuar ndihmën e forcave zjarrfikëse të Vlorës, të cilët ndodhen në terren për hapjen e rrugës dhe prerjen e pemës që kishte zënë aksin. Autoritetet lokale bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të shmangin lëvizjet në këtë zonë derisa situata të normalizohet.







