FLASH :

Stuhia në Vlorë , trageti në vështirësi në port , qyteti përmbytet

Vlore – Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me reshje të dendura shiu ka shkaktuar përmbytje të shumta në qytetin bregdetar të Vlorës. Pamjet e siguruara nga qytetarët tregojnë rrugë të mbushura me ujë, ku niveli ka arritur deri në mes të makinave, duke vështirësuar qarkullimin. Automjetet shihen duke lëvizur me vështirësi, ndërsa disa prej tyre janë bllokuar krejtësisht në mes të ujit.

Në video dallohet kaosi në disa nga rrugët kryesore, ku këmbësorët detyrohen të ecin nëpër ujëra të turbullta, ndërsa disa të rinj shihen duke ndihmuar për të shtyrë automjetet e ngecura. Gjithashtu, bizneset në katet e para janë prekur, me ujë që ka hyrë në dyqane dhe lokale.

Autoritetet vendore ende nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar për situatën, ndërsa ekipet e emergjencës pritet të ndërhyjnë për të lehtësuar pasojat e motit të keq. Qytetarët shprehen të indinjuar për mungesën e infrastrukturës së duhur dhe theksojnë se përmbytje të tilla përsëriten çdo vit me reshjet e para intensive.