Dje ndodhi një incident, ku një makinë bllokoi autobusin duke shkaktuar bllokim të gjithë trafikut të qyterit pranë një agjensie funerali.
Një qytetar nga Fieri ka denoncuar publikisht mungesën e reagimit të policisë gjatë një bllokimi trafiku që zgjati mbi gjysmë ore në qytet. Ai iu drejtua Drejtorisë Vendore të Policisë Fier me ironi, duke pyetur nëse “të gjithë janë me pushime”, ndërsa rruga mbeti e paralizuar.
Në mesazhin e tij, qytetari i indinjuar tha se qytetarët paguajnë taksa për punën e policisë dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e qarkullimit. Ai akuzoi autoritetet se po neglizhojnë detyrimet e tyre, duke theksuar se populli është ai që u siguron edhe “bukën që hanë ata dhe familjet e tyre”.
Nga reagimet që kanë ardhur në redaksinë e lajmeve ‘Troç’, duket se është bërë një aksident, pasi kanë mbërritur disa mesazhe nga të përfshirët në këtë incident.
Kemi reagimin e shoferit, i cili shprehet:
“Përshëndetje, ju shkruaj për rastin e makinës që bllokoi autobusin në Fier. Makina pësoi defekt dhe u largova derisa erdhi karrotreci ta merrte, për arsye se isha në një rast vdekje. Po ta vësh re, është afër një shtëpie funerali. Nëse brenda mundësive do ta fshinit, do isha shumë falënderues. Ju uroj një ditë të mbarë.”
Kemi edhe reagimin e ish-deputetit Halit Valteri, i cili është kushëriri i personit që është përfshirë në këtë aksident.
Mesazhi i Halit Valterit:
“Përshëndetje, si jeni. Duke ju uruar punë të mbarë, doja t’ju thosha që në këtë rast makina ka pësuar defekt dhe është një i afërmi im. Ishim në një varrim në Fier dhe nuk mundëm ta lëviznim derisa erdhi karrotreci. Nëse është e mundur, mund ta shihni të arsyeshëm arsyetimin tonë. Ju faleminderit dhe ditën e mirë.”








