FLASH :

1 mijë euro për të mos prishur tendën, sot GJKKO pritet të japë masën e sigurisë për inspektorët e IMT

Punonjësit e IMT të përfshirë në rastin e ryshfetit në Tiranë do të njihen sot me masën e sigurisë. Njëri prej tyre është ende në kërkim.

Inspektorët e IMT-së, të akuzuar se morën ryshfet 1 mijë euro për të mos prishur tendën e një lokali në Kombinat, dalin sot para GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë.

Para gjykatës pritet të dalë Geraldo Fuçia, i arrestuar si personi që kërkoi paratë dhe një tjetër inspektor, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Ndërkohë për Klajdi Zhillën, i cili është në kërkim, pritet që të vendoset masa në mungesë. Zhilla dhe Fuçia akuzohen për korrupsion aktiv dhe shpërdorim detyre.

Punonjësit i IMT-së u kallëzuan nga vetë pronari i lokalit, se i kishin ofruar një marrëveshje që të mos ia prishnin tendën, kundrejt 1 mijë eurove.  Policia, me miratimin e SPAK-ut, nisi përgjimet dhe më pas simuloi dhënien e parave. Në kohën kur 1 mijë eurot iu dorëzuan punonjësit të IMT-së Klajdi Zhilla, kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali tjetër aty pranë.

Policia sekuestroi paratë që u gjetën në banakun e lokalit, të cilat korrespondonin me numrat serialë të kartëmonedhave që policia i dha kallëzuesit. Por, krahas tyre, u gjetën edhe 3 mijë euro dhe 27 mijë lekë, me dyshimet se mund t’u jenë marrë subjekteve të tjera, në këmbim të mosprishjes së tendave pa leje.