Serie A e futbollit nisi raundin e dytë. Të premte tri pikë siguruan Milani dhe Cremonese, me këta të fundit që kanë surprizuar në dy javët e para.
ITALI – Elita e futbollit italian zbriti në fushë të premte me dy ndeshjet e para për raundin e dytë. Tri pikët e radhës i siguroi Cremonese, që në shtëpi ia doli të mposhtte 3-2 Sassuolon. Në krahun tjetër, Milani fitoi jo pa vuajtje 0-2 në udhëtim me Leccen, duke bërë autokritikë pas humbjes në ‘San Siro’ kundër Cremoneses një javë më parë.
Në stadiumin ‘Via del Mare’, vendasit e Lecces u mposhtën 0-2 nga Milani. Kuqezinjtë vuajtën në pjesën e parë, paçka golit të anuluar për Gabbian që në minutën e katërt, për një faull. Ndeshja për djemtë e Allegrit nuk ishte e lehtë, me minutat që kalonin dhe golin që nuk dukej. Në të 60-n minutë Gimenez shënoi për miqtë, por sërish goli u anulua, këtë herë për një pozicion jashtë loje.
Gjashtë minuta më vonë, veterani Luka Modric asistoi për Loftus-Cheek, me anglezin që e devijoi sferën bukur me kokë dhe e la pas krahëve të portierit Falcone, për t’i dhënë avantazhin kuqezinjve. Milani shtoi presionin dhe katër minuta nga fërshëllima finale gjeti golin e dytë me amerikanin Christian Pulisic. Max Allegri i gëzohet fitores së parë në Serie A pas rikthimit te Milani, ndërsa Ylber Ramadani dhe Medon Berisha ishin në fushë për Leccen.
Në stadiumin ‘Giovanni Zini’ në Cremona, vendasit e Cremoneses mposhtën 3-2 Sassuolon dhe treguan se jo më kot kanë gjashtë pikë pas dy javëve të para në rikthimin e tyre në elitën e futbollit italian. Trajneri Davide Nicola pa sesi ekipi i tij shënoi dy gola në pjesën e parë me Terraccianon në të 37 minutë dhe Vazquez në të 39 minutë. Vendasit u kapën ‘në kurth’ nga kjo epërsi dhe lëshuan në lojë, duke u barazuar nga miqtë. Pinamonti në minutën e 63 dhe Berardi me penallti dhjetë minuta më pas vendosën ekuilibrat në 2-2.
Deçizive ishte minuta e 82, kur te vendasit në fushë u fut Romano Mussolini, stërnipi i diktatorit Benito Mussolini. Pas sekonda në fushë dhe ai asistoi për Okerekes, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. I riu Mussolini nuk u step dhe në shtesë fitoi penallti për të tijtë, duke bërë që De Luca të mposhtet portierin e Kosovës, Aro Muric. 3-2 dhe tri pikë të tjera për Cremonesen në Serie A, që pret të ketë të gatshëm nga java që vjen edhe sulmuesin veteran Jamie Vardy.
Serie A, raundi 2:
E premte, 29 gusht 2025
Cremonese 3-2 Sassuolo
Lecce 0-2 Milan






