FLASH :

Babai ju vrau nënën, fëmijët e Marjola Nakolecit do të jetojnë me tezen e tyre

Katër fëmijët e 36-vjeçares Marjola Nakoleci që u vra nga burri në Volos të Greqisë, do të jetojnë me tezen e tyre. Mediat greke raportojnë se kujdestaria e fëmijëve pritet t’i kalojë motrës së viktimës.

Ata pritet që të zhvendosen në ishullin e Skiathos, ku jeton dhe punon tezja e tyre.

Sipas avokates së familjes, procesi i dhënies së kujdestarisë është drejt përfundimit dhe pritet të zyrtarizohet të enjten paradite nga Prokuroria e Volosit.

Nga ana tjetër, motra e viktimës ka marrë mbështetjen e plotë të Shërbimit Social Grek për të marrë përsipër rritjen e fëmijëve.

Edhe vetë fëmijët kanë shprehur dëshirën të jetojnë me tezen e tyre në ishullin Skiathos.

Marjola Nakoleci u vra me thikë nga burri i saj Pandeli Nakoleci disa ditë më parë në qytetin e Volos.

Autori është arrestuar dhe është lënë në paraburgim. Ai ka pranuar krimin dhe ka thënë se e bëri për motive xhelozie, pasi pretendon se bashkëshortja e kishte tradhtuar.

Fëmijët ishin dëshmitarë të krimit, kur i ati u vrau nënën.

Krimi i rëndë në familjen shqiptare tronditi mbarë opinionin publik në Greqi dhe në Shqipëri.