Rastet e dhunës ndaj kafshëve po shtohen në vendin tonë. Rasti më i fundit është në lagjen Kiras, në Shkodër, ku është gjetur një qen i masakruar, i futur brenda një qeseje plehrash bashkë me disa pula të ngordhura.
Dyshohet se kafsha kishte sulmuar pulat e pronarit, i cili ka zgjedhur ta ndëshkojë në mënyrën më çnjerëzore duke e rrahur.
Ai u gjet nga vullnetarë të organizatës “Animals Need Me” pranë kazanit të plehrave dhe u dërgua menjëherë në një klinikë veterinare, ndërsa pamjet e ngjarjes janë tronditëse, duke treguar qartë dhunën barbare me të cilën është trajtuar qeni.
Mjekët konfirmojnë se kafsha ka fraktura të shumta dhe ndodhet në gjendje kritike. Gjendja e tij është aq e rëndë sa vetëm një mrekulli mund t’ia shpëtojë jetën.
Organizata “Animals Need Me” kërkon reagim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit dhe fton çdo person që ka informacion për autorin të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje makabre.
‘Qen i rrahur brutalisht, i hedhur për të vdekur në një qese plehrash bashkë me pulat. Ngjarja ka ndodhur në Kiras. Kërkojmë dëshmitarë. Pamjet janë mjaft të rënda dhe ju kërkojmë ndjesë për këtë. Por e vërteta duhet dokumentuar dhe ekspozuar. Kemi mbërritur në një pikë kritike si shoqëri, ku çdo ditë jemi dëshmitarë të abuzimit të pashoq me kafshët.
Vullnetari jonë ka pikasur këtë qen të shkretë pranë kazanit të plehrave në Kiras. Ishte hedhur bashkë me pulat të cilat si duket i ka sulmuar. Pronari i tyre e ka dënuar gjithashtu me vdekje “fajtorin”. Qeni ka fraktura të shumta dhe është në gjendje shumë të rëndë. Pavarësisht kujdesit veterinar, vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë. Ky akt makabër meriton ndëshkim sipas ligjit në fuqi. Na ndihmoni të bëjmë një kallëzim penal ndaj autorit’, thotë organizata.