FLASH :

Rojet e plazhit në SHBA kapin breshkën e rrezikshme që tmerronte pushuesit

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Juanita Beach Park në Kirkland të shtetit Washington, ku një roje plazhi ka shpëtuar pushuesit duke nxjerrë nga uji një breshkë gjigante aligator snapping turtle, e njohur për agresivitetin dhe kafshimin e rrezikshëm.

Heroizmi i rojës së plazhit

Rojtari i ri, i identifikuar si Dani, vuri re breshkën nën një mol dhe menjëherë ndërhyri. Ai e nxori jashtë ujit dhe madje pozoi me të, pavarësisht se krijesa njihet për nofullat e fuqishme që mund të shkaktojnë lëndime të rënda. Fotot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentet kur Dani e mban reptilin në duar, njëherë i qetë dhe më pas me një fytyrë të habitur nga madhësia e tij.

Reagimi i autoriteteve

Kirkland Parks and Community Services e falënderoi rojën për guximin dhe reagimin e shpejtë, duke theksuar se breshkat e këtij lloji janë specie invazive dhe agresive. “Nëse shihni një të tillë, qëndroni larg dhe njoftoni menjëherë stafin e parkut ose rojen e plazhit”, apeloi institucioni.

Në operacion ndihmuan edhe roje të tjerë, një oficere e kontrollit të kafshëve dhe përfaqësues të Departamentit të Peshkut dhe Kafshëve të Egra të Washington. Ende nuk dihet se çfarë u bë me breshkën pas kapjes.

Breshkat gjigante të tipit “alligator snapping”

Sipas National Wildlife Federation, këto breshka gjenden kryesisht në SHBA, nga Florida veriore deri në Iowa, dhe mund të qëndrojnë të zhytura deri në 50 minuta. Meshkujt arrijnë peshë deri në 250 paund (rreth 113 kg), ndërsa femrat deri në 60 paund (27 kg).

Në prill 2024, një peshkatar në Teksas kapi një breshkë të këtij lloji që peshonte 200 paund, ndërsa rekordi historik i regjistruar mban peshën 249 paund, i matur në Shedd Aquarium në Çikago në vitin 1999.