Këngëtarja e njohur Katy Perry është shfaqur në Gjykatën e Los Angeles-it, ku po zhvillohet një proces gjyqësor i gjatë mbi një vilë luksoze 15 milionë dollarëshe në Montecito, Kaliforni. 40-vjeçarja deklaroi para gjykatës se ajo nuk po kërkon vetëm dëmshpërblim financiar, por “drejtësi”.
Çështja nis që nga viti 2020, kur Perry dhe ish-i fejuari i saj Orlando Bloom blenë shtëpinë prej 9 mijë metrash katrorë nga veterani amerikan Carl Westcott. Pak ditë pas nënshkrimit të kontratës, Westcott – i cili vuan nga një sëmundje e pashërueshme neurologjike – tentoi të tërhiqej nga marrëveshja duke pretenduar se kishte qenë nën ndikimin e medikamenteve pas një operacioni të rëndë. Gjykata megjithatë vendosi se kontrata ishte e vlefshme dhe pronësia iu kalua Perry-t dhe Bloom-it.
Pas fitimit të procesit kryesor, këngëtarja dhe aktori kërkuan miliona dollarë të tjerë në gjykatë për qira të humbura dhe dëmtime të pretenduara në pronë, duke ngritur padinë fillimisht në 6 milionë dollarë dhe më pas duke e reduktuar në 1.3 milionë. Familja e Westcott ka reaguar ashpër, duke e akuzuar këngëtaren se po shfrytëzon gjendjen e rëndë shëndetësore të babait të tyre dhe duke e cilësuar rastin si shembull të “sjelljes arrogante të yjeve të Hollywood-it”.
Vetë Perry këmbëngul se ka pasur rol aktiv në restaurimin e pronës dhe se përveç humbjes së parave, çështja lidhet me parimin e drejtësisë. “Unë mund të humbas para, qira dhe shpenzime gjyqësore. Por mbi të gjitha, po kërkoj drejtësi,” tha ajo në seancën e fundit gjyqësore.
Procesi pritet të vazhdojë, ndërsa vendimi përfundimtar do të përcaktojë nëse Perry do të përfitojë dëmshpërblim të plotë apo pjesor.