Policia Kufitare ka shpëtuar tre shtetas që rrezikonin të mbyteshin në det, pasi skafi me të cilin po lundronin pësoi defekt teknik në zonën Grame-Brisanit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur pas një njoftimi të marrë nga Salla Operative e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë kërkimet për lokalizimin e mjetit lundrues.
Pas kërkimeve intensive, u bë e mundur gjetja e skafit, i cili kishte pësuar defekt dhe rrezikonte të fundosej. Në bord ndodheshin tre shtetas, të cilët u morën nga policia dhe u transportuan të sigurt drejt bregut, në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa vetë skafi, pavarësisht përpjekjeve për ta nxjerrë në breg, u fundos në det.







