FLASH :

Ish-pronarët, lista e përfituesve që marrin kompensim jashtë radhe! Subjektet e shpronësuara dhe përfaqësuesit me prokurë

Një tjetër listë përfituesish eshte miratuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Bëhet fjalë për një listë të përzier me ish-pronarë që kërkuan kompensim të veçantë ose jashtë radhe dhe të tjerë që kërkuan kompensim financiar në masën 100 për qind.

Në listë jane edhe subjekte që përfitojnë kompensim financiar dhe fizik si dhe pronarë për të cilët është vendosur mbyllje procedimi administrativ ose rrëzim kërkese. Përfituesit u takojnë qyteteve: Tiranë, Shkodër, Berat, Fier, Vlorë, Lezhë, Korçë, Gjirokastër dhe Kukës. Në total janë 37 ish-pronarë që kompensohen, 12 prej të cilëve përfitojnë kompensim financiar në masë të plotë.

Fondi financiar i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë për to përllogaritet në vlerën 8.7 milionë lekëve, të cilat do lëvrohen në llogaritë përkatëse bankare të subjekteve kërkues. Ndërsa për sipërfaqen me mbivendosje ATP ka vendosur depozitimin e vlerës prej 236.6 mijë lekë, që u përket sipërfaqeve të mbivendosura, në një llogari të veçantë bankare, e cila pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes, i paguhet subjektit në favor të të cilit është zgjidhur çështja.

Për nëntë kërkesa të tjera që përfitojnë kompensim jashtë radhe, buxheti i vënë në dispozicion është në masën e 29.6 milionë lekëve. Më e fituar në këtë mes është arka e shtetit, e cila kursen 10-fishin e kësaj shume që marrin pronarët. “Nga përfundimi i trajtimit të këtyre 9 (tri) aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, Buxhetit të Shtetit i kursehet në total një fond në vlerën 288,726,107.28 (dyqind e tetëdhjetë e tetë milionë e shtatëqind e njëzet e gjashtë mijë e njëqind e shtatë pikë njëzet e tetë) lekë.

Me lëvrimin e pesë kësteve për këto aplikime, përfundon dhe procesi i kompensimit për këto vendime sa u takon sipërfaqeve pa mbivendosje”, – citohet në njoftimin e agjencisë. Për 4 (katër) aplikime ATP ka dalë me vendim për “Përfundimin e procedimit administrativ” referuar kërkesave të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Të dhënat në lidhje me vendimet e subjekteve të shpronësuara që përfitojnë dhe përfaqësuesit me prokurë të tyre, jepen në listat bashkëlidhur këtij njoftimi. Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlera financiare e miratuar do të jetë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë, pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.