Akërni, Vlorë – 27 Gusht 2025 – Një zjarr i madh ka përfshirë sot pyllin me pisha në zonën e Pish Poros, pranë Akërnisë.
Në pamjet e publikuara nga vendngjarja, flakët duken duke përpirë me shpejtësi sipërfaqen e pyllit me pisha, ndërsa tymi i dendur ngrihet lart duke krijuar një panoramë dramatike. Zjarri shihet se është përhapur në disa fronte, duke rrezikuar një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.
Banorë të zonës dëgjohen duke komentuar situatën me shqetësim, teksa flakët afrohen gjithnjë e më shumë drejt pjesës së dendur të pyllit.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera mbështetëse, të cilat po punojnë për të izoluar flakët. Parashikohet që ndërhyrja të kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, për shkak të vështirësisë së terrenit dhe përmasave të mëdha të zjarrit.
Zjarri në Akërni është pjesë e një serie ngjarjesh të ngjashme që po prekin këtë verë bregdetin e jugut, ku temperaturat e larta dhe era e fortë kanë ndihmuar përhapjen e flakëve. Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e rrezikshme dhe kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve për të shmangur ndezje të qëllimshme ose pakujdesi.







