Sarandë, 26 gusht 2025 – Kapiteneria e Portit Sarandë ndërhyri pasditen e sotme pas një sinjal ndihme të marrë nga një grup turistësh shqiptarë dhe të huaj, mjeti i të cilëve pësoi defekt në motor gjatë lundrimit në Gjirin e Kakomesë.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00. Menjëherë pas thirrjes emergjente, një mjet i Kapitenerisë u nis drejt vendit dhe bëri rimorkimin e anijes deri në Gjirin e Limionit, duke garantuar mbërritjen e sigurt të turistëve në breg.
Thirrje për kujdes nga Kapiteneria
Autoritetet detare i bëjnë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese që të kryejnë kontrolle të detajuara teknike përpara nisjes, për të shmangur incidente të ngjashme dhe për të siguruar lundrime të qeta e të sigurta.
Kapiteneria e Portit Sarandë ka theksuar se mbetet e gatshme për çdo rast emergjent dhe nevojë të qytetarëve apo turistëve që frekuentojnë brigjet shqiptare.







