FLASH :

Video/Skandal në Francë: Aktivistët publikojnë pamje tronditëse të trajnerëve që “stimulojnë” një orka mashkull për të shmangur çiftëzimin me nënën

Pamje të publikuara nga grupi TideBreakers kanë shkaktuar zemërim dhe debat në Francë, pasi tregojnë trajnerë në Marineland Antibes duke “stimuluar seksualisht” orkën mashkull Keijo, 11 vjeç, për të parandaluar çiftëzimin e tij me nënën, Wikie, 24 vjeç.

Sipas menaxhmentit të parkut, kjo praktikë u krye për të shmangur rrezikun e inçestit dhe konfliktit mes dy orka-ve, duke e cilësuar si “të nevojshme dhe të padëmshme për kafshën”. Në video, e regjistruar më 12 gusht, shihen dy trajnerë pranë pishinës: njëri duke mbajtur pendën e orkas, ndërsa tjetri e stimulon, ndërkohë që Wikie noton e ndarë në një tjetër pishinë.

Reagimi i aktivistëve: “Një akt i sëmurë dhe i turpshëm”

Bashkëthemeluesja e TideBreakers, Marketa Schusterova, e quajti skenën “shokuese dhe thellësisht shqetësuese”, duke deklaruar se ekipi i saj e pa të përsëritej pesë herë në të njëjtën ditë, për periudha rreth 20 minutëshe.

Edhe Valerie Greene, ish-trajnere e SeaWorld Orlando për një dekadë, u shpreh e habitur: “Asnjëherë nuk kam parë këtë sjellje përveçse gjatë mbledhjes së spermës për inseminim artificial. Kjo është një rënie e re morale e industrisë së kafshëve në robëri.”

Parku: “E nevojshme për mirëqenien e orkave”

Marineland u mbyll përgjithmonë në janar, por orkat dhe delfinët e mbetur nuk janë ende të sistemuar. Përfaqësuesit e parkut këmbëngulin se praktika nuk lidhet me mbledhje sperme, duke kujtuar se shitja e saj është e ndaluar me ligj në Francë.

Ndërkohë, aktivistët pretendojnë se kjo metodë, në vend që të ulë tensionet, vetëm i përkeqëson sjelljet dhe e dëmton shëndetin mendor të kafshës. Fati i Keijo-s, i nënës së tij Wikie dhe 12 delfinëve të tjerë në park mbetet ende i paqartë.