Shëndeti i presidentit amerikan Donald Trump ka rikthyer edhe një herë vëmendjen e publikut, pasi ai u shfaq me një bruizim të madh në dorë gjatë takimit në Zyrën Ovale me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung. Pamjet e fundit vijnë pas rasteve të ngjashme ku 79-vjeçari është parë me kyçe të ënjtura, këmbë tërhequr gjatë ecjes dhe me make up mbi plagë që nuk përputhej me ngjyrën e lëkurës.
Reagimi i Shtëpisë së Bardhë
Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi më 7 gusht se Trump vuan nga “pamjaftueshmëria kronike venoze”, një gjendje e zakonshme tek të moshuarit që shkakton fryrje dhe mavijosje. Ajo sqaroi se shenjat në dorë janë “të lidhura me shtrëngimet e shpeshta të duarve dhe përdorimin e aspirinës”. Po ashtu, mjeku i ri i presidentit, Sean Barbabella, i quajti ato “irritime të lehta të indeve të buta”.
Ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë, tashmë kongresmen, Ronny Jackson, u përpoq të shuante zërat: “Trump është presidenti më i shëndetshëm që ka pasur ndonjëherë ky vend. Është më i mprehtë fizikisht dhe mendërisht se kurrë.”
Spekulimet në rrjete sociale
Megjithatë, deklaratat zyrtare nuk e kanë ndalur një valë spekulimesh online, ku përdoruesit sugjerojnë se mavijosjet lidhen me ndërhyrje mjekësore, infuzione intravenoze, madje disa pretendojnë se Trump vuan nga sëmundje të rënda si kanceri, insuficienca kardiake apo skleroza. Të tjerë vunë re se bruiza po mbuloheshin shpesh me grim gjatë takimeve publike.
Në mars, videoja ku Trump shfaqej duke tërhequr këmbën gjatë një loje golfi nxiti teori të tjera mbi probleme neurologjike ose përdorimin e mbajtëseve të këmbëve. Edhe një foto e manipuluar e këpucëve të tij ndezi tallje online, me komente që aludonin për proteza apo deformime.
Dilemat vazhdojnë
Pavarësisht sigurive nga mjekët se presidenti “gëzon shëndet të shkëlqyer”, dukja e përsëritur e mavijosjeve dhe ënjtjeve ka ushqyer një debat të fortë mbi gjendjen e tij reale shëndetësore. Në rrjete sociale, shumë përdorues kërkojnë më shumë transparencë dhe hetim nga media.







