FLASH :

Mrekullia e re e Liverpoolit: 16-vjeçari Rio Ngumoha shënon golin vendimtar në minutën e 100-të ndaj Newcastle

Liverpool ka një diamant të ri në duar. Vetëm 16 vjeç e 361 ditë, Rio Ngumoha u bë protagonist absolut mbrëmjen e së hënës duke shënuar golin e fitores në minutën e 100-të ndaj Newcastle, duke i dhuruar kampionëve të Anglisë një triumf dramatik 3-2 në St. James’ Park.

I lindur në Newham të Londrës lindore, ku talentin e tij e formoi në fushat e vogla me pesë lojtarë të lagjes, Ngumoha është tashmë golashënuesi i katërt më i ri në historinë e Premier League, vetëm një ditë pas rekordi të Wayne Rooney-t.

Nga lagjet e Londrës tek Anfield

Ngumoha ka kaluar nga West Ham dhe Arsenal, madje i prezantuar me legjenda si Thierry Henry e Santi Cazorla, por në fund u bashkua me akademinë e Chelsea-t në Cobham. Vetëm një vit më parë Liverpool e “rrëmbeu” talentin, gjë që shkaktoi zemërim të madh tek Blutë e Londrës. Madje, sipas raportimeve, Chelsea ndaloi skautët e Liverpool-it të ndiqnin ndeshjet e akademisë së tyre.

Pavarësisht kontratave të shumta që iu ofruan, Rio zgjodhi Anfield-in, ku sot paguhet me një kontratë standarde prej vetëm 1,200 £ në muaj – por me ëndrra shumë më të mëdha.

“Top, top player” – parashikimi i John Terry

Ish-kapiteni i Chelsea-t, John Terry, ishte ndër të parët që reagoi për largimin e tij, duke thënë: “Ky djalë është dhe do të jetë një lojtar i madh.” Dhe fjalët e tij duket se po marrin jetë.

Rio është tashmë lojtari më i ri që ka nisur një ndeshje për Liverpoolin (16 vjeç e 135 ditë, në FA Cup ndaj Accrington Stanley). Ish-mësuesit dhe trajnerët e tij e kanë përshkruar si “të përulur dhe jashtëzakonisht të talentuar”, duke treguar se edhe në moshë të vogël ishte i papërmbajtshëm me topin dhe një ekzekutues fantastik i goditjeve të dënimit.

Synimi i madh: Topi i Artë

Vetë Ngumoha nuk fshihet pas fjalëve: “Unë besoj realisht se mund të fitoj Topin e Artë. Dua të jem një nga më të mirët e historisë së futbollit.”

Dhe me atë që tregoi ndaj Newcastle, duket se ky është vetëm fillimi i një ylli që është gati të shpërthejë në skenën botërore.