Pushuesit në plazhin Polzeath, Cornwall në Britaninë e Madhe u përballën me një skenë të pazakontë më 25 gusht, kur bregu i mbushur me makina u përmbyt nga dallgët e detit për shkak të baticës së lartë.
Pamjet e filmuara tregojnë automjete të bllokuara në rërë dhe të rrethuara nga ujërat që rriteshin me shpejtësi. Pronaret e panikuar u detyruan të hynin në det për të shpëtuar mjetet e tyre, ndërsa disa të tjerë u përpoqën të shtynin makinat që po fundoseshin në rërë.
Në një nga videot më qesharake, fëmijët vallëzojnë rreth makinave të lagura ndërsa të rriturit të habitur pozojnë përpara skenës së pazakontë.
Një makinë e mbetur në rërë shpëtohet me ndihmën e pushuesve
Sam Peters, 34 vjeç nga Worcester, ishte një prej fatkeqëve që gjeti Subaru-n e tij Outback të vitit 2010 duke u zhytur në rërë e ujë. Ai tregoi se situata shkaktoi panik, por edhe solidaritet: “Shumë njerëz u përpoqën të ndihmonin, disa shtynin makinat që të nxirreshin nga rëra. Për mua ishte një lehtësim kur të pranishmit më ndihmuan ta nxirrja.”
Spektakël për vendasit, shok për vizitorët
Ndërsa vizitorët panikoheshin për mjetet e tyre, banorët vendas shihnin nga larg me habi e humor, duke e cilësuar këtë si një “klasik veror” që ndodh shpesh kur turistët parkojnë në zona të pambrojtura nga baticat.
Pamjet nga Polzeath tashmë po shpërndahen gjerësisht në rrjete sociale, duke bërë që episodi të kthehet në një ndër historitë më të komentuara të sezonit turistik në Cornwall.







