FLASH :

Deputeti socialist Erion Braçe përndjek qytetarët që urinojnë në cepa lagjesh  

Erion Braçe, deputet prej vitesh dhe pjesë e mazhorancës në pushtet, ka zgjedhur të shfaqet jo si ligjvënës, por si “rojtar moral” i hapësirave urbane. Të shndërrosh detyrën publike në një platformë personale për të ndjekur, filmuar dhe turpëruar qytetarët është një akt i paprecedentë dhe dëshmon për një mungesë totale etike nga ana e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Në vend që të trajtojë me serioz hallet e qytetarëve që i kanë dhënë votën dhe që paguajnë rrogën e tij përmes taksave, ai merret me patrullimin e cepave të pallateve, ku ndonjë qytetar, i detyruar nga mungesa e infrastrukturës publike, kërkon një mënyrë për të plotësuar nevojat bazike.

 Në një realitet të mbushur me sfida serioze nga kriza ekonomike, rritja e kostos së jetesës, mungesa e shërbimeve publike e deri te papunësia dhe mungesa e sigurisë deputeti socialist Erion Braçe ka zgjedhur një kauzë krejt tjetër për të përqendruar energjitë e tij që ndalimin e urinimit nëpër cepa lagjesh. Në vend që të adresojë problemet reale të qytetarëve që e kanë votuar, Braçe është shndërruar në një lloj “rojëtari” të lagjes, i cili, me përkushtim të admirueshëm  ndjek qytetarë që guxojnë të thyejnë “rregullin e artë të higjienës” në mungesë të infrastrukturës publike. Ndërsa qytetari përballet me mungesën e kushteve më bazike, reagimi institucional nuk përqendrohet te zgjidhja, por te ndëshkimi. Në një vend normal, një përfaqësues i zgjedhur do të kërkonte më shumë investime për infrastrukturën publike, do të kërkonte tualete funksionale në çdo lagje, dhe do të trajtonte shkaqet. Por në Shqipërinë e sotme, duket se më lehtë ndëshkohet qytetari për një shkelje minimale, sesa të mbahet përgjegjës sistemi për mungesën e dinjitetit.