Trupi i pajetë i Marjola Nakolecit ka mbërritur në qytetin e Korçës, ku sot në orën 11:00 do të zhvillohet ceremonia mortore. Nënës së katër fëmijëve do t’i jepet lamtumira mes dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve, të cilët ndodhen në gjendje të rënduar emocionale.
Për shkak të traumës dhe tronditjes, familjarët kanë refuzuar të japin deklarata për mediat. Megjithatë, vajza e madhe e viktimës ka reaguar me tone të forta, duke mohuar çdo lidhje me të atin dhe duke theksuar se do të kërkojë drejtësi për humbjen e nënës.
Nga ana tjetër, motrat e Marjolës, në rrëfime jashtë kamerave, kanë hedhur akuza të rënda ndaj bashkëshortit të saj, Pandeli Nakolecit. Sipas tyre, viktima kishte shpëtuar nga një përpjekje për vetëvarje të kryer nga Pandeli vetëm tre javë më parë, ndërsa dhuna në familje kishte qenë e vazhdueshme, për shkak të xhelozisë dhe dyshimeve për tradhti.
Të afërmet pretendojnë gjithashtu se burri ushtronte marrëdhënie seksuale pa dëshirën e Marjolës, me qëllim për ta lënë shtatzënë dhe për ta penguar ndarjen. Vetëm një muaj më parë, ajo kishte vendosur një mjet kontraceptiv, pas konsultave me një gjinekolog.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa familjarët kërkojnë drejtësi dhe zbardhje të plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.
Në Greqi po kryhen hetimet ndaj Pandeli Nakolecit, i cili del sot para Gjykatës së Volosit për masë sigurie. Ai ka shprehur pendesë, por ka dhënë qëndrime kontradiktore gjatë gjithë kohës së marrjes në pyetje. Një herë ka thënë se nuk donte dhe i doli situata nga kontrolli. Më pas se e tradhtonte, kishte lidhje jashtëmartesore, se fëmija që kishte abortuar nuk ishte i tij dhe alibi të tjera për konfliktet e vazhdueshme në familje.