FLASH :

Shpëtohen dy turistë gjermanë në detin e Qeparoit – Era e fortë i largon nga jahti me gomone

Mbrëmjen e 24 gushtit 2025, rreth orës 22:20, Policia e Himarës mori një njoftim urgjent nga Salla Operative se dy persona po kërkonin ndihmë në zonën bregdetare të Qeparoit. Menjëherë, në reagim të shpejtë, u aktivizua mjeti lundrues BP-06, i drejtuar nga komandanti Besnik Imeri dhe inspektori Pandeli Xhelilaj, të cilët u nisën drejt vendngjarjes për të dhënë ndihmë.

Rreth orës 22:45, policia kufitare lokalizoi dy turistët në det, rreth 100 metra larg bregut, mbi një gomone plastike pa motor, me gjatësi rreth 2 metra, të quajtur “Timini”. Dy shtetasit ishin shkëputur më herët nga jahti i tyre personal “Tiaman”, pasi ishin marrë nga era e fortë, duke e bërë të pamundur kthimin në mjetin e tyre lundrues.


Të shpëtuarit janë:

  • Berhard Michael, lindur më 12.04.1955, me nënshtetësi gjermane
  • Ute Dorothea, lindur më 23.05.1962, gjithashtu me nënshtetësi gjermane

Pas ndërhyrjes së suksesshme të forcave të policisë, të dy turistët u transportuan në portin e Himarës dhe u nxorën në breg në orën 00:30, në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia e Shtetit thekson rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurisë në det, sidomos në kushte të pafavorshme atmosferike, dhe apelon për kujdes të shtuar nga pushuesit dhe lundërtarët.