Koreja e Jugut është e angazhuar të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kinën, të cilat kanë pasur tensione të dukshme vitet e fundit, tha të dielën i dërguari i posaçëm i presidencës së Koresë së Jugut gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi.
Të dy palët ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik, si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet bilaterale.
Presidenti Lee Jae-myung dërgoi një delegacion të udhëhequr nga ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Park Byung-seong, në Pekin, ndërsa ai vetë udhëtoi për në Uashington për të takuar Presidentin amerikan, Donald Trump.
Park i tha ministrit të jashtëm kinez se të dy qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të “hapur derën për normalizimin e marrëdhënieve”, duke pranuar se tensionet mes dy vendeve janë rritur në vitet e fundit. Gjatë vizitës, Park i dorëzoi një letër nga Presidenti Lee drejtuar homologut të tij kinez, Xi Jinping, duke e ftuar atë të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) që do të mbahet në tetor.
Nga ana e tij, Wang Yi vlerësoi vizitën dhe theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe. Ai gjithashtu nënvizoi se qeveria e re e Seulit është e angazhuar për zhvillimin e një “partneriteti strategjik dhe bashkëpunues” me Kinën, duke ruajtur gjithashtu lidhjet e ngushta me Shtetet e Bashkuara.
Marrëdhëniet Kore-Kinë kanë kaluar një periudhë të vështirë, veçanërisht pas tensioneve të vitit 2017 mbi vendosjen e një sistemi mbrojtës raketor të SHBA-së në Korenë e Jugut, një veprim që Pekini e kundërshtoi ashpër.
Tensionet janë intensifikuar më tej në vitin 2023, pas deklaratave kritike ndaj Kinës nga ish-presidenti koreano-jugor, Yun Seok-gyel.
Pavarësisht këtyre sfidave, Seuli dhe Pekini kanë shprehur angazhimin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin, sidomos në fushën e zinxhirëve të furnizimit dhe tregtisë, me shpresën për të përmirësuar stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik në rajon.