Një tjetër goditje e fortë ndaj krimit të organizuar është shënuar nga Policia e Shtetit, e cila ka vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i koduar “Operacionalja 60”, i zhvilluar nga strukturat e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ka çuar në lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit D. B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i arrestuari u lokalizua në zonën e Malit të Tomorrit, ku lëvizte me automjet, duke tentuar t’i shmangej kapjes. Ai ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2023, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale:
- “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,
- “Grupi i strukturuar kriminal”,
- “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Pas ndalimit, masa e sigurisë u ekzekutua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Durrës, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi dhe lidhjeve të tij.
Policia e Shtetit rithekson angazhimin për të çuar përpara drejtësisë të gjithë personat që fshihen pas krimeve të organizuara dhe thekson se operacionet e tilla do të vijojnë pa ndërprerje në të gjithë vendin.