Në Egjiptin e lashtë, macet nuk ishin thjesht kafshë shtëpiake, por krijesa të shenjta që gëzonin respekt dhe adhurim të jashtëzakonshëm. Ato lidheshin ngushtë me perëndeshën Bastet, hyjnesha me kokë mace, që simbolizonte shtëpinë, pjellorinë dhe mbrojtjen. Përmes saj, macet morën një status tjetër: të shenjtë, duke u bërë jo vetëm shoqëruese të njerëzve, por edhe mbrojtëse të rendit dhe bollëkut. Përveç rolit shpirtëror, ato kishin edhe rëndësi praktike, pasi mbronin rezervat e drithërave nga minjtë, duke garantuar ushqimin e popullit.
Vlera e tyre ishte aq e madhe, saqë nëse dikush do të dëmtonte një mace, qoftë edhe nëse ajo gjë do të ndodhte pa dashje, konsiderohej një shkelje e rendit hyjnor dhe shpesh ndëshkohej me vdekje.