KRT (televizioni shtetëror i Koresë së Veriut) ka transmetuar një video propagandistike që duket se tregon ushtarë të dërguar nga Pheniani duke luftuar në vijën e ashpër të frontit në Ukrainë. Sipas materialit, trupat janë të angazhuara në luftime në rajonin rus të Kurskut, pranë kufirit verilindor me Ukrainën, teksa shihen duke avancuar në fusha të mbuluara nga bora, qëllojnë me mitralozë e artileri, hedhin raketa e granata dhe manovrojnë mes ndërtesave të rrënuara.
Videoja, e pacilësuar me datë, u shfaq gjatë një ceremonie të kryesuar nga Kim Jong Un për të “nderuar” ushtarët e dërguar të luftojnë për Rusinë. Pamjet përfshijnë skena të trajtimeve mjekësore, këngë, lot dhe valëvitje të flamurit të shtetit.
Gjatë shërbesës, Kim u pa duke qarë teksa ngushëllonte familjet e trupave të quajtur “heroikë”, të cilët ai i dërgoi të luftonin kundër Ukrainës. Sipas mediave shtetërore, ai dekoroi pjesëtarë të njësive që janë kthyer dhe përqafoi fëmijët e ushtarëve të rënë.
Në një fjalim të cituar nga KCNA, Kim deklaroi se “aktivitetet luftarake të forcave operacionale jashtë vendit… dëshmuan pa pendesë fuqinë e ushtrisë heroike [të Koresë së Veriut]”, ndërsa “çlirimi i Kurskut” dëshmoi “shpirtin luftarak të heronjve”. Para një muri përkujtimor me emrat e të rënëve, ai u pa duke përqafuar fëmijë të përlotur, me një prej tyre që i hodhi krahët rreth qafës.