FLASH :

Tragjedi në SHBA: 5 viktima dhe dhjetëra të plagosur nga përmbysja e një autobusi turistik që kthehej nga Niagara Falls

Një autobus turistik me 54 pasagjerë është përmbysur në autostradën Interstate 90, rreth 48 km në lindje të Buffalo-s, duke shkaktuar 5 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 me orën lokale, ndërsa autobusi po kthehej drejt New York City pas një vizite në ujëvarat e famshme Niagara Falls.

Sipas policisë së shtetit të New York-ut, shoferi u shpërqendrua dhe humbi kontrollin e mjetit, duke përfunduar në krahun e djathtë të rrugës përpara se autobusi të përmbysej. Shumë pasagjerë u nxorën jashtë përmes xhamave të thyer, ndërsa të tjerë mbetën të bllokuar në rrënoja. Viktimat janë të moshës 1 deri në 74 vjeç.

Autoritetet konfirmuan se 24 pacientë u dërguan në Qendrën Mjekësore të Buffalo-s, ndërsa të plagosur të tjerë u trajtuan në spitalet Millard Fillmore, Buffalo General dhe Oishei Children’s Hospital. Disa pacientë iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale për trauma të rënda, fraktura dhe dëmtime të brendshme, por mjekët shprehen optimistë për mbijetesën e tyre.

Shumica e pasagjerëve ishin turistë nga India, Kina dhe Filipinet, ndërsa në vendngjarje u angazhuan edhe përkthyes për familjarët. Shërbimi i transportit ajror Mercy Flight përdori tre helikopterë për të evakuuar të plagosurit. Policia ka përjashtuar defektet mekanike apo konsumimin e alkoolit nga shoferi, i cili ka mbijetuar dhe po bashkëpunon me hetimet.

Autoritetet e quajtën këtë një “tragjedi absolute”, ndërsa autostrada u mbyll në të dyja drejtimet, duke shkaktuar kaos trafiku në një nga fundjavat e fundit të sezonit turistik të verës.