FLASH :

Alarmi i mjekëve: Rriten rastet e sifilizit tek të porsalindurit në SHBA

Rastet e sifilizit kongjenital në SHBA kanë arritur nivelet më të larta që nga viti 1992, duke shkaktuar shqetësim tek autoritetet shëndetësore. Vetëm në vitin 2023 u raportuan 3,882 raste, ndërsa 279 foshnja humbën jetën, sipas CDC.

Mjekët thonë se shkaku kryesor lidhet me mungesën e kujdesit prenatal dhe trajtimit të paplotë të grave shtatzëna, si dhe moskontrollimin e partnerëve të tyre. Vetëm në Nju Jork, këtë vit janë shënuar 21 raste dhe tre vdekje. Për këtë arsye, autoritetet po kërkojnë teste të detyrueshme gjaku për gratë shtatzëna.

Infeksioni transmetohet nga nëna tek fetusi dhe mund të shkaktojë deformime kockore, verdhëz, lindje të parakohshme apo vdekje. E vetmja kurë mbetet penicilina, e cila po përballet me mungesa globale, duke e bërë situatën edhe më alarmante.

Mjekët theksojnë se testimi i hershëm, trajtimi i rregullt dhe përfshirja e partnerëve në kontrollin shëndetësor janë thelbësore për të parandaluar tragjedi të tilla.