FLASH :

Shpendi e nis me gol sezonin

Cesena ka shënuar një fitore të rëndësishme dhe bindëse në javën e parë të Serie B dhe kjo falë Christian Shpendit.

Sulmuesi shqiptar realizoi golin e dytë të takimit në fitoren 3-1 që bardhezinjtë koleksionuan në transfertën e Pescara-s.

Një ndeshje që nisi me ritëm të lartë dhe me synimin e qartë të miqve për të treguar se rikthimi në këtë kategori nuk është rastësi.

Skuadra e drejtuar nga Mignani kaloi në epërsi në minutën e 31-të, kur Berti asistoi bukur për Blesën, i cili nuk gaboi për 1-0.

Por reagimi i Pescara-s ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, Olzer realizoi një gol të bukur nga distanca, pas një pasimi të saktë nga Graziani, duke barazuar shifrat në 1-1.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, por Cesena nuk hoqi dorë nga presioni.

Në minutën e 48-të, Shpendi riktheu avantazhin për miqtë pas një aksioni të ndërtuar mirë nga Bastoni, duke e çuar rezultatin në 2-1.

Vendasit tentuan të reagojnë, por mungoi qartësia në fazën sulmuese.

Në minutën e 63-të, Bisoli vulosi fatin e ndeshjes me një gol të tretë për Cesena-n, duke siguruar tre pikët në sfidën e parë të sezonit. Pavarësisht përpjekjeve të fundit të Pescara-s, rezultati mbeti i pandryshuar.

Një fitore e rëndësishme për ekipin romanjol, që dërgon një sinjal të fortë për rivalët, ndërsa Pescara duhet të rikuperojë shpejt për të mos rënë në krizë që në fillim të kampionatit.