FLASH :

Kanadaja njofton se do të heqë shumë prej tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane

Kanadaja do të heqë shumë prej tarifave hakmarrëse ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara dhe do të rrisë kontaktet me Shtetet e Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare, tha të premten kryeministri kanadez, Mark Carney.

Tarifat kanadeze ndaj makinave, çelikut dhe aluminit amerikan nuk do të hiqen tani për tani, u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi në Otavë.
Carney theksoi se Shtetet e Bashkuara kohët e fundit e kishin bërë të qartë se nuk do të vendosnin tarifa mbi mallrat kanadeze që ishin në përputhje me marrëveshjen tregtare tripalëshe SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).

“Në këtë kontekst, dhe në përputhje me angazhimin e Kanadasë ndaj USMCA-së, unë po njoftoj sot se Qeveria e Kanadasë tani do të përputhet me Shtetet e Bashkuara duke hequr të gjitha tarifat e Kanadasë mbi mallrat amerikane që mbulohen posaçërisht nga USMCA”, tha ai.
Kanadaja ka disa muaj që zhvillon bisedime me SHBA-në për të lidhur marrëdhënie të re ekonomike dhe sigurie, por të dyja palët nuk janë afër një marrëveshjeje.

Kanadaja dhe Kina janë të vetmet kombe që iu kundërpërgjigjën Shteteve të Bashkuara me tarifa hakmarrëse, duke e zemëruar administratën amerikane.

“E mirëpresim këtë hap të Kanadasë, i cili është shumë i vonuar. Presim të vazhdojmë diskutimet me Kanadanë për shqetësimet e administratës lidhur me tregtinë dhe sigurinë kombëtare”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Carney foli me presidentin amerikan, Donald Trump të enjten. I pyetur nëse presidenti amerikan i kishte thënë se heqja e tarifave do të niste bisedimet, Carney u përgjigj: “Po.”

Carney fitoi zgjedhjet e prillit mbi bazën e një premtimi për t’u përballur me tarifat e Trumpit, por prej atëherë e ka zbutur dalëngadalë tonin e tij.
Në fund të qershorit, Carney hoqi dorë nga një taksë e propozuar për shërbimet digjitale, të cilën kompanitë amerikane e kundërshtonin fuqishëm, dhe në korrik ndaloi së foluri për sanksione të mëtejshme nëse të dyja palët nuk do të arrinin marrëveshje deri më 1 gusht.

Ky lajm mund të jetë sfidë politike për Carney, partia liberale në pushtet e të cilit ka vetëm një pakicë vendesh në parlament dhe mbështetet tek partitë opozitare për t’iu mbijetuar votëbesimeve.

Kreu i konservatorëve, partisë më të madhe opozitare, këtë javë e akuzoi Carney për një qasje tepër të butë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Pararendësi i Carneyt si kryeministër, Justin Trudeau, më 6 mars kishte vendosur tarifa prej 25 për qind mbi mallra me vlerë 21 miliardë dollarë të importuara çdo vit nga SHBA-ja, si përgjigje ndaj tarifave fillestare të Trumpit.