FLASH :

“John Bolton është një gënjeshtar”- Trump: Kam pak informacion mbi kontrollet në shtëpinë e tij

Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi të hënën se kishte pak informacion mbi kontrollin që FBI-ja kreu në banesën e ish-këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, John Bolton, të cilin e quajti “një mashtrim”.

Nuk jam aspak fans i John Bolton,” u shpreh Trump para gazetarëve. “Ai është vërtet një mashtrim,” përsëriti ai, duke shtuar se pritet të informohet nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me hetimin gjatë ditës së sotme.

Sipas mediave, nga katër deri në gjashtë agjentë të FBI-së u panë duke hyrë në banesën e Bolton, me çanta shpine dhe tufa me dokumente në duar, megjithatë nuk është raportuar ende nëse është konfiskuar ndonjë send. Vetë Bolton ka deklaruar se nuk ishte i informuar për operacionin dhe se “po e shqyrton çështjen më tej”.

Ndërkohë, drejtori i FBI-së, Cass Patel, postoi në profilin e tij në platformën X (ish-Twitter) një mesazh të shkurtër, në të njëjtën kohë me operacionin:
“Askush nuk është mbi ligjin… Agjentët e FBI-së në një mision.”
Ky mesazh u konsiderua si një sinjal i qartë për seriozitetin e rastit.

Operacioni i FBI-së lidhet me dyshimet për mbajtjen e materialeve të ndjeshme që lidhen me sigurinë kombëtare. Ende nuk është sqaruar nëse çështja ka lidhje me kujtimet që Bolton publikoi në vitin 2020, por burime kujtojnë se Departamenti i Drejtësisë kishte nisur më parë një hetim për të, për shkak të dyshimeve se kishte zbuluar informacion të klasifikuar pa autorizim.

Ky hetim u mbyll në vitin 2021, kur administrata Biden vendosi të tërhiqte padinë ndaj tij. Bolton vetë e kishte akuzuar Trumpin se ishte përpjekur ta bllokonte botimin e librit për arsye politike.

Në librin “The Room Where It Happened”, Bolton shkruan se Trump ishte “i fiksuar pas imazhit të tij në media” dhe kishte kërkuar ndihmën e liderëve të Ukrainës dhe Kinës për të fituar zgjedhjet e vitit 2020.

“Trump është i papërshtatshëm për të qenë president,” shkruan Bolton në parathënien e librit, duke paralajmëruar se një mandat i dytë do të ishte edhe më i rrezikshëm:
“Nëse katër vitet e para ishin të këqija, të ardhshmet do të jenë më keq. Ai do të përqendrohet vetëm tek hakmarrja personale.”