Kristjan Asllani vendosi të mos i bashkohej Bolonjës gjatë merkatos së verës, duke zgjedhur Torinon. Në mediat italiane u përhap lajmi se gjithçka kishte ardhur nga fakti se Asllani nuk kishte gjetur akordin financiar me Bolonjën.
Asllani kërkonte një rrogë prej 2 milionë eurosh në sezon, ndërsa Bolonja i ofronte vetëm 1,7 në momentin fillestar të bisedimeve. Por “Corriere Dello Sport” bën të ditur se nuk ishte vetëm rroga ajo që ndikonte të vendimi i Asllanit për të shkuar te Torino, pasi rroga 2 milionë euro ishte e pranueshme sipas standarteve të Bolonjës.
Kjo e fundit duhej të hapte në skuadër një vend për një lojtar me moshën 23 e më lart, pasi kishte plotësuar të gjitha vendet që lejon rregullorja për ekipin e parë. Kuqeblutë kishin bërë gati gjithçka për transferimin e kroatit Nikola Moro drejt Sasuolos për t’i lëshuar vendin Asllanit. Por transferimi kishte dështuar e kësisoj nuk ishte i mundur regjistrimi i mesfushorit shqiptar pasi për momentin nuk kishte asnjë lojtar në dalje.
Kësisoj, në vend që të qëndronte në pritje nëse Bolonja do të krijonte apo jo hapësira për të, Asllani pranoi ofertën e Torinos që u tregua i gatshëm të largonte një nga lojtarët në grupin ekzistues për t’i bërë vend futbollistit shqiptar.