Një tragjedi makabre ka tronditur Volosin e Greqisë: një baba shqiptar, në sy të katër fëmijëve të tij të mitur, goditi për vdekje me thikë bashkëshorten 36-vjeçare, duke kthyer hyrjen e pallatit në skenë horror. Viktima, Marjola Nakoleci, ra e pajetë mes britmave dhe panikut, ndërsa autori, bashkëshorti i saj Pandeli Nakoleci, 40 vjeç, u largua i gjakosur duke u zhdukur në errësirë. Policia është ende në kërkim të tij, ndërsa komuniteti shqiptar në Greqi është i shokuar nga kjo ngjarje që ka marrë përmasat e një drame familjare të pashlyeshme.
Si ndodhi ngjarja
Sipas dëshmive të banorëve të lagjes, ngjarja ndodhi jashtë portës së pallatit ku jetonte çifti. Fqinja që ka një dyqan aty pranë tregon se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një aksident, pasi panë ambulancat dhe policinë. Më pas mësoi se çifti ishte konfliktuar pranë hyrjes së pallatit.
“Pashë ambulancat dhe policinë dhe mendova se ishte ndonjë aksident. Më vonë mësova se ishin zënë jashtë portës së pallatit dhe ai kishte një thikë të cilën ia nguli në trup dhe e shtyu. Për këtë arsye ishin thyer edhe xhamat. E gjithë skena ndodhi aty, tek hyrja e pallatit”, – dëshmon fqinja.
Sipas hetimeve paraprake, sherri mes çiftit ka ndodhur në prani të fëmijëve të tyre, duke e bërë ngjarjen edhe më dramatike.
Viktima dhe autori
Marjola Nakoleci, e njohur në komunitetin shqiptar të Volosit si një grua e qetë dhe e përkushtuar ndaj fëmijëve, humbi jetën tragjikisht pas goditjeve me thikë. Ndërsa burri i saj, Pandeli Nakoleci, i lindur më 23 dhjetor 1985, sipas të dhënave rezulton të ketë pasur precedentë penalë për vjedhje dhe ishte deportuar më herët nga Greqia.
Burime nga policia greke bëjnë me dije se autori ka vuajtur edhe nga probleme të shëndetit mendor, për të cilat ishte trajtuar në të kaluarën, por nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi sherrin fatal që përfundoi me vrasje.
Reagimet e fqinjëve
Banorët e lagjes shprehen të habitur nga ngjarja, duke thënë se çifti nuk kishte dhënë asnjëherë shenja konfliktesh serioze.
“Asnjëherë nuk kishin probleme me fqinjët, ishin familje e qetë. Nuk e prisnim kurrë një gjë të tillë”, – u shprehën disa prej tyre.
Hetimet dhe kërkimet
Policia greke është vënë në ndjekje të autorit, duke kontrolluar zonën e Volosit dhe rrethinat për ta kapur. Për momentin nuk dihet gjendja e tij dhe nëse ka tentuar të largohet nga Greqia.
Autoritetet konfirmojnë se katër fëmijët e çiftit ndodhen nën kujdesin e institucioneve përkatëse dhe janë jashtë rrezikut, ndonëse kanë përjetuar tragjedinë e rëndë para syve të tyre.
Ngjarja mbetet në hetim dhe priten detaje të tjera mbi motivet e krimit dhe vendndodhjen e autorit.
