Nga një ish-ushtar i kthyer në yll të rrjeteve sociale në një viktimë të transmetimeve të dhunshme online – vdekja e Jean Pormanove, emri i vërtetë Raphaël Graven, ka ndezur një stuhi reagimesh në Francë dhe përtej saj. Ngjarja tragjike ka hapur një debat të ashpër mbi rolin e platformave si Kick, një shërbim transmetimi që ka ndërtuar famën mbi skandale, dhunë dhe mungesë të plotë moderimi.
Vdekja që tronditi Francën
Më 18 gusht, Pormanove, 46 vjeç, u gjet i pajetë në shtratin e tij në Contes, pranë Nicës, pas më shumë se 10 ditësh transmetimesh live ku ai ishte i ekspozuar ndaj dhunës ekstreme, privimit nga gjumi dhe detyrimit për të konsumuar substanca toksike. Pamjet që qarkulluan në internet tregojnë atë duke u rrahur, pështyrë, hedhur përtokë, mbuluar me bojë, madje edhe duke u mbytur ndërsa i futej ushqim me forcë në gojë.
Pamjet u ndoqën nga mbi 500,000 njerëz, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet apo vetë platforma. Përpara vdekjes së tij, ai kishte lënë një mesazh prekës për nënën, ku shkruante se ndihej “i mbajtur peng” dhe “i lodhur nga poshtërimet” që i ishin kthyer në “markë personale” në Kick.
Reagimi politik ishte i menjëhershëm. Ministrja franceze për Çështjet Dixhitale dhe Inteligjencën Artificiale, Clara Chappaz, e quajti rastin një “horror absolut”, ndërsa Komisionerja e Lartë për Fëmijët, Sarah El Haïry, paralajmëroi prindërit mbi rreziqet e përmbajtjes së dhunshme online. Prokuroria franceze hapi një hetim për të zbuluar si u lejua që tortura të transmetohej publikisht.
Kick – parajsa e përmbajtjes së ndaluar
E lançuar në vitin 2022, Kick është prezantuar si një alternativë e lirë ndaj Twitch. Platforma ofron një model pagese shumë më fitimprurës për krijuesit – duke mbajtur vetëm 5% të abonimeve krahasuar me 30–50% të Twitch – dhe një politikë moderimi jashtëzakonisht të lehtë. Pikërisht kjo e ka bërë magnet për figura të ndaluara apo të pezulluara nga platformat tradicionale.
Kick lejon lojërat e fatit online, përmbajtje të sugjerimeve seksuale dhe transmetime të dhunshme që në YouTube apo Twitch do të ishin të ndaluara. Ky kombinim e ka kthyer në një qendër të përmbajtjes skandaloze, me mbi 817,000 përdorues aktivë çdo muaj, dhe ambasadorë si reperi Drake.
Por fama e saj është ndërtuar mbi kontroverse: homeless të tallur publikisht, kafshë të torturuara, dhe sfida ku pjesëmarrësit dhunohen për argëtimin e audiencës.
Skandalet e pafundme të Kick
- Homeless i braktisur në restorant – Streameri Dumbdumbjeez mori një grua të pastrehë në darkë, pastaj iku duke e lënë me faturën prej 56 £. Videoja shkaktoi indinjatë dhe platforma e ndaloi, por shumë e akuzuan Kick-un se reagoi vetëm pasi skandali mori dhenë.
- Kokë pule e prerë live – Streameri i famshëm N3on u akuzua për abuzim me kafshët gjatë një sfide 24-orëshe, ku një pulë u torturua dhe u ther jashtë kamerës. Kick e pezulloi, por vetë ai e justifikoi duke thënë se “nuk e kishte bërë vetë” aktin.
- Paintball dhe tortura në “burg virtual” – Ice Poseidon organizoi një reality ku pjesëmarrësit u qëlluan me paintball dhe u elektroshokuan, ndërsa miliona shikonin live. Pamjet e pjesëmarrësve duke bërtitur nga dhimbja nxitën kritika të ashpra, por platforma e lejoi për javë të tëra.
- Natalie Reynolds, “më e rrezikshmja në Kick” – Influencerja britanike, e njohur për sjelljet provokuese, ka publikuar sfida ekstreme si tallja me persona me obezitet, kërcënime për të ndotur pishina publike dhe intervista të fëmijëve në rrugë. Një video e saj, ku shfaqej e rrahur nga një dominatrix, mori dhjetëra mijëra shikime.
Platformë e ndërtuar mbi provokacion
Pavarësisht dënimeve publike, Kick vazhdon të fitojë terren. Emra të mëdhenj të internetit si Amouranth dhe Adin Ross (i njohur për deklaratat seksiste e homofobike) janë transferuar në Kick pas ndalimeve në Twitch. Ross ka sjellë në kanalin e tij edhe figura ekstremiste si Nick Fuentes dhe Andrew Tate, ndërsa platforma shpesh i promovon drejtpërdrejt, duke treguar se skandalet nuk janë thjesht të toleruara – por janë pjesë e modelit të biznesit.
Një vdekje që mund të ndryshojë gjithçka?
Rasti i Jean Pormanove ka ndezur një alarm mbi rreziqet e “përdorimit të njerëzve si spektakël”. Pyetjet mbi përgjegjësinë ligjore të platformave dhe rolin e shtetit për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi online janë bërë të pashmangshme.
Kick ka deklaruar se është “thellësisht e tronditur” nga vdekja dhe ka premtuar të “rishikojë urgjentisht rregullat e saj”. Por kritikët mbeten skeptikë: derisa skandali sjell miliona shikime dhe të ardhura, sa e gatshme është platforma të sakrifikojë fitimet për moralin?
Vdekja e Pormanove nuk është vetëm një tragjedi personale – por një sinjal i fuqishëm se bota e transmetimeve live është shndërruar në një arenë gladiatorësh dixhitalë, ku kufiri mes argëtimit dhe torturës është fshirë.