FLASH :

VIDEO/ Këto krijesa të rrezikshme detare e detyruan Spanjën që të mbyllë disa plazhe

Autoritetet spanjolle kanë ndaluar larjen në një segment prej shtatë miljesh të Costa Blanca-s, pas shfaqjes së “dragojve blu” – krijesa detare të rralla dhe jashtëzakonisht të rrezikshme. Këto molusqe, të njohura me emrin shkencor Glaucus atlanticus, thithin helm nga speciet e tjera si kandili helmues Portuguese man o’war dhe e ruajnë në trupin e tyre në doza të përqendruara, duke e bërë thumbimin e tyre shumë më të fortë dhe potencialisht fatal. Simptomat variojnë nga dhimbje dhe të vjella, deri tek reaksione alergjike të rënda që mund të jenë fatale për fëmijët, alergjikët apo personat me probleme të zemrës dhe frymëmarrjes.

Plazhet e Guardamar del Segura u mbyllën pas vendosjes së flamujve të kuq, ndërsa kryebashkiaku Jose Luis Saez paralajmëroi pushuesit të mos prekin asnjë ekzemplar, edhe me doreza, por të lajmërojnë menjëherë rojet e plazhit. Ai shtoi se po ndiqet nga afër situata dhe u vendos një operacion parandalues për të kontrolluar rrymimet e detit. Pas një dite të tensionuar, plazhet janë rihapur me flamuj të verdhë, që lejojnë larjen por me kujdes të shtuar pranë zonës së rojeve bregdetare. Nuk është hera e parë që Costa Blanca përballet me mbyllje për shkak të krijesave detare; në vitin 2018, prania e Portuguese man o’war solli dhjetëra raste të helmuara dhe ndalime masive të notit.